Qeveria e Presidentit Trump me një projektligj të momentit të fundit cilësoi kompaninë kineze të elektronikës “Xiaomi” si “një kompani kineze militare” dhe për rrjedhojë e klasifikoi menjëherë në “listën e zezë” të kompanive të padëshiruara, kompani që konsiderohet e rrezikshme për sigurinë e SHBA-ve, së bashku me kompaninë tjetër “Huawei”.
Gjithashtu, qeveria Trump “flaku” tej kufijve të vendit edhe kompaninë e naftës “China National Offshore Oil Corp. (CNOOC)”, e cila nuk do të mund të kryejë më shkëmbime tregtare me Amerikën dhe as nuk do të mund të blejë produkte të teknologjisë së lartë nga SHBA.
Urdhëri Ekzekutiv i Trump u ndalon investitorëve amerikanë dhe kompanive të sigurisë bashkëpunimin “me kompanitë kineze militare”. I njëjti Urdhër Ekzekutiv përmend faktin se Kina shfrytëzon investitorët amerikanë për të zhvilluar dhe modernizuar elementët e saj ushtarakë.
Kompania “Xiaomi” sapo kishte kaluar në vendin e 3-të të renditjes botërore, përsa i përket shitjeve të ‘smartphone’, por tashmë e cilësuar si e rrezikshme dhe në pamundësi për të tregtuar në Amerikë, pozicionet e saj ndryshojnë dhe investitorët amerikanë kanë kohë deri në nëntor 2021 që të shkëputen njëherë e përgjithmonë nga kontaktet dhe marrëveshjet me këtë kompani, që po flaket jashtë Amerikës.