Shitja e opozitës tek Rama, apo kapja dhe blerja e opozitës prej Ramës, “arritja” më e madhe e pushtetit afatgjatë që po konsumon legjislaturën e tretë të shumicës parlamentare dhe qeverisëse, përmbyllet me vendimin për vulën dhe logon e Partisë Demokratike.
Rama dhe pozita në thuajse 4 gara elektorale kanë qenë pa opozitë përballë, padyshim që do të ishte fitimtar i padiskutuar dhe pa stërmundimet e një gare elektorale, që teksa nuk kishte opozitë, fushatat i pasuroi dhe i bëri argëtuese për popullin shqiptar, i cili u ushqye, por nuk u ngop, me batutat e Ramës dhe tallavanë politike.
Buke dhe festë do populli, këtë i dha kryeministri, edhe pse nuk u bukosën dhe ende duan si të marrë, bukë dhe festë, tallava dhe trahana.
Një çështje pa çështje endet në gjykatë. Çështje VULE!
Kush do ta ketë vulën dhe logon? Berisha apo kryetari në detyrë që njeh shteti dhe parlamenti, pozita dhe institucionet, Alibeaj djali, që në Stamboll i shkoi nami. Them në Stamboll i shkoi nami, pasi besoj se Rama e ka diskutuar me Erdoganin edhe çështjen e djaloshit mjekërthinjur, që po investohet për të qenë kreu i opozitës me emërtimin PD dhe i vulës së Partisë së parë opozitare shqiptare, pasuri kombëtare.
Po, Gjykata do i japë vulën dhe logon Alibeajt për t’i dhuruar blunë e opozitës dhe për ta zhveshur Berishën dhe pasonjësit e tij nga çdo vlerë dhe aksion i Partisë Demokratike. Kjo është lufta e Ramës për opozitën që dëshiron ai.
Pas datës 20 dhjetor, nëse vula dhe logo i kalojnë Alibeajt, arëherë Degët Lokale të PD-së, drejtuesit e Degëve do të duhet të vendosin nëse do të braktisin PD-në dhe do të pasojnë Berishën, ose anasjelltas.
Kryetarët e degëve, kryesitë dhe kandidatët e dalë nga primaret do të duhet të vendosin të lëshojnë zyrat, selitë e partisë, dokumentacionin, financat, asestet dhe gjithçka disponon një parti politike, nëse vendosin të ndjekin Berishën. Në të kundërt jeta e tyre politike do të vazhdojë normalisht, por me një ndryshim, që nuk do të kenë më atë anëtarësi që do të pasojë Berishën.
Paralelisht, në rast se vula dhe logo i jepen Alibeajt, atëherë Berisha duhet të themelojë urgjentisht një parti të re politike, me një emërtim të ri dhe ku do të duhet të fillojë menjëherë organizimi në të gjitha Degët e vendit, si dikur në vitet ’90.
Duket se do të jenë mjaftueshëm ata kryetarë dhe kandidatë të dalë nga primaret që do të qëndrojnë pranë logos dhe vulës dhe nuk do të pasojnë Berishën dhe këta janë ata që deri më sot qëndruan në PD, pasi nuk ishin të sigurtë për atë që do të ndodhte. Tani më periudha e pritjes merr fund kështu që do të dalin hapur për preferencën e tyre dhe do të jenë jo pak ata që do të braktisin Berishën, për të mbajtur logon, por edhe sepse kështu do të këshillohen dhe suportohen prej disa palësh.
Në çdo Bashki, ose në çdo Bashki do të kemi minimalisht 3 kandidatë. Alibeaj e di shumë mirë që vështirë se mund të arrijë të marrë ndonjë Bashki, por do të krijojë bërthamat e tij në rrethe, duke ju premtuar mbështetësve të sotëm, kandidimin e tyre në krye të listave për zgjedhjet parlamentare.
Sa do të jenë kryetarët e Partive që do të joshen prej kësaj oferte? Do të jenë mjaftueshëm, besoj!
Ky do të jetë edhe akti i fundit i Ramës për gjynjëzimin e Berishës dhe të jeni të bindur që mes rradhëve të PD-së janë të shumtë ata që mezi presin datën 20 dhjetor për të braktisur Berishën.
Çfarë do të ndodhë me zgjedhjet lokale dhe si do të trajtohen ato? Një çështje për diskutim në një fazë tjetër. Por një gjë është e sigurtë, e madhe do të jetë beteja ngado.
Por natyrshëm që Ramës i intereson sot, teksa nuk e ble dot të gjithë opozitën, ta përçajë atë.
Çfarë emër do të ketë Partia e re e Sali Berishës?