Duma në “Dhomën e Ulët” Televizive të Eni Vasilit, ku Frroku u bë Çup!

Termi ‘Duma’ në gjuhën ruse, intrigon këdo që lexon politikë, që ka pasion historinë dhe që është pak rusofil. DUMA, quhet Dhoma e Ulët e Përfaqësuesve, në Asamblenë Shtetërore Ruse, Dhomë që më 1917 bolshevikët e shkrinë. Por jo se ndokush e ka lexuar eponimin e deputetes ndonjëherë me pikë referimi këtë ngjashmëri onomatike. Kjo për histori, sa më poshtë vijon, për llahtari.

Zj.Duma e PD-së, që në mendimin tim personal nuk duhet të ishte më në PD, si pjesë e bashallëkut, i lejon vetes të ulet dhe të përballet me Frrokun e ATSH/RD-së, që nuk duhet të ishte në fakt në krah të PS-së, nëse nuk do të ishte ai që është.

Ish themeluesi i PD-së së Ramiz Alisë, u vendos përballë një të djathteje liberale të ditëve të sotme, i doli përpara syrit optik të kameras, që ta dëgjonin shqiptarët, i destinuar paraprakisht që ta sulmonte dhe ta nxirrte nga vetja gruan që kishte përballë, si dhe për ta fyer dhe denigruar atë qëllimshëm.

Në një tavolinë debati politik, ish kryepropaganda e Berishës, Frroku pra, u bë çup, teksa kaloi pragun e integritetit, familjes, shtëpisë, jetës private së Grida Dumës dhe si për çudi la të pakënaqur armiqtë e saj. Një çup i mirëfilltë pra, siç i ka hije një ish bashkëpunëtori të ish presidentit të Republikës.

Për ju që nuk e dini, ç’është një çup, drejtojuni fjalorit të gjuhës amë dhe do të kuptoni sesa rëndësi ka mbiemri tek njeriu, që zakonisht është ose profesioni i të parëve, ose eponim familjar, ose toponimi prejardhjeje, ose llagap.

Çupi që shkoi me axhendë të denigronte Dumën, u zgajt mes fyerjesh ndaj një femre, aq shumë, sa vështirë se bëhet më për burrë. – Çështje moshe vallë? – Jo! – Çështje karakteri, çështje tregu politik, çështje përdorjeje. Po kush e përdor Çup-in vallë, Rama apo Berisha? Rama do të thoshin shumica në një zë. Por do e lëmë edhe një fërngji hapur, për atë tjetrin, për të mos thyer ligjet e natyrës, teksa në botë asgjë nuk është absolute. Për hir të relatives pra.

Nga ana tjetër mos harrojmë se Partia Demokratike, kështu vazhdon dhe quhet kjo morfomë politike, është një sarkofag që ushqehet brenda vathës së saj. Shumica e atyre që kalojnë gardhin dhe hyjnë në vathë, një gjë është e sigurtë që u ndodh nëse nuk largohen, që një ditë partia i ha, ose i kafshon dhe u hap plagë gangrene, aq të thella sa nuk u mbyllen kurrë.

Këto janë parti monopole të një personi, këto janë korporata korrupsioni dhe celula shërbimesh të mistershme, këto janë jafka terrori politik, këto janë parti të kobshme. Këto janë edhe parti BigBrother!

Të zgjuarit nuk qëndrojnë gjatë në të tilla parti. Por fatkeqësisht dhe fatalisht, këtë nuk e kuptojnë ende disa persona që bëjnë politikë, për profesion tashmë, që ende qëndrojnë përkrah PD-së dhe me kosto personale, përkrahin kryetarin, bëjnë promotorin e sulmit politik, konsumojnë kohën dhe jetën, duke u përballur në “dhoma” televizive me ish propagandën e PD-së, me kashej si Frroku, që kanë shkollën e ujkut plak në politikë dhe metoda bolshevike për praktikë, që edhe kur nuk kanë dhëmbë, kafshojnë me nofulla të qelbëzuara dhe të infektojnë.

Këtë nuk kuptojnë pra, që nuk ka pse të përballen në emër të PD-së me askënd dhe askund, sepse PD-ja sot nuk ekziston, është thjesht dhe vetëm një nocion politiko-historik, është një sipërmarrje politike e dhënë me konçesion tek PS-ja. Dhe që mos ja hamë hakun Frrokut, ai e di mirë këtë, mjaft mirë. Por gaboi kur i tha zj.Duma se ajo e ka paska katandisur atë parti leckë, duke shpërfillur dhe ulur mjaft figurën e doktorit malësor, padron i tij.

Frroku i veriut, Frroku i Saliut, Frroku i RD-së, Frroku i ATSH-së, Frroku i Ministrisë së Kulturës, Frroku i PD-së, nuk është rastësi këtu ku është sot. Kurrsesi! Por ky çup, kur në debate televizive ka përballë Fahriun e “Zërit të Popullit”, sot pronarin e “55”-s, që i ka të gjitha mundësitë ta sulmojë, sepse ka mjaftushëm informacion për të dhe bëmat e tij, hesht. Pse? Pse hesht Frroku përballë Fahri Balliut dhe bëhet ngjelkë ordinere dhe llapaqen përballë Grida Dumës apo ndonjë tjetre? Duhet t’i bëjmë këto pyetje, për të analizuar rrethanat dhe rrethanorët, faktet, ngjarjet dhe të thënat, si dhe arsyet pse ndodhin, në momentin që ndodhin, me personat që ndodhin.

Nuk është çështja të mbrojmë Gridën, Sonilën, apo këdo që fyen Frroku çup. Kushdo duhet t’i dalë zot vetes. Çështja është gjetiu, çështja është t’i vetëdijesojmë njerëzit të largohen nga “shtëpia e shpirtrave”, që minimalisht e kanë të pashmangshme takimin me vdekjen politike.

Kush më gjen hiperbolike në sa më sipër, do të më kujtojë pas disa javësh.

Merret çup Frroku me cic-mice dhe nuk merret me leje minierash dhënë tek bumbashirë të doktorit malësor, nuk merret me tendera dhe me konçesione të vulimisë korruptive, nuk merret me milionat e arpagonëve të Berishës, apo me megahajdutët e Ramës.

Asgjë rastësore! As ajo tryezë, as ata të ftuar, as ai ritëm, as ato fyerje, as edhe ajo moderatore që lejoi atë debat vulgar, toksik, ku një androprostat, fyente një femër, bijën e dy prindërve, nënën e një djali. Dëgjuam gjithçka, por jo politikë. Gjithçka e kurdisur. Mos qoftë kush naiv të mendojë të kundërtën.

Ja pra që më lind e drejta të pyes sërish: ç’i duhej Gridës dhe shumë të tjerëve në partinë që ka themeluar Frroku?! Ja pra gabimi fatal. Mund të bëhet karrierë në partinë e Frrokut dhe Ramiz Alisë, doktorit dhe Bashës së Isufajve? Kur të tjerë iknin nga partia e Frrokut, Saliut dhe Bashës, disa bëheshin pjesë e bashallëkut, që ne të dëgjojmë dhe shikojmë sot skena “makabre”, sesi për së gjalli PD-ja ha të sajët.

“Luftoj për një asgjë, por që për mua është gjithçka. Ambicje, moto dhe katara ime, që më rrëmben asgjënë.” (Odhiseas Elitis)

1 Comment

Lini një Përgjigje te Përplasje e fortë në TV mes Grida Dumës dhe Frrok Çupit: Je hiç, këllirë, llum… Anuloje përgjigjen

Your email address will not be published.

Previous Story

Samiti i Tetorit i Kryeministrave të BE-së, nën Hijen & Frikën e Spiunazhit!

Next Story

Mjeku Gjerman Sucharit Bhakdi: "Absolutisht të Rrezikshme Vaksinat Kundër Coronavirus-it - Do Ju Shkatërrojnë!"

Latest from Opinione