Apostull Pali Drejtuar Kolosianëve

3:7-25

1 Në qoftë se u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni ato që janë lart, ku Krishti është i ulur në të djathtë të Perëndisë.

2 Kini ndër mend ato që janë lart, jo ato që janë mbi dhe.

3 Sepse vdiqët edhe jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin tek Perëndia.

4 Kur të shfaqet Krishti, jeta jonë, atëherë edhe ju bashkë me të do të shfaqeni në lavdi.

5 Bëni pra të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi dhe, kurvërinë, papastërtinë, dëshirimin, dëshirën e keqe dhe lakmimin, që është idhujtari,

6 për të cilat vjen zemërata e Perëndisë përmbi bijtë e pabindjes.

7 Në këto edhe ju ecët dikur, kur rronit në to.

8 Po tani hidhini tej edhe ju të gjitha këto, zemëratën, mërinë, ligësinë, blasfeminë, fjalët e ndyra prej gojës suaj.

9 Mos gënjeni njëri-tjetrit, pasi zhveshët njeriun e vjetër bashkë me punët e tij,

10 edhe veshët të riun që përtërihet në njohje sipas shembëllesës së atij që e ka krijuar;

11 ku s’ka Grek e Jude, rrethprerje e parrethprerje, barbar, Skit, shërbëtor, të lirë, por të gjitha e mbi të gjitha është Krishti.

12 Vishni pra, si shenjtë të zgjedhur e të dashur të Perëndisë, përdëllim të dhembshur, mirësi, përulësi, butësi, zemërgjerësi,

13 duke duruar njëri-tjetrin dhe duke ndjerë njëri-tjetrin, në pastë ndonjë ankesë kundër ndonjërit; ashtu si edhe Krishti ju ndjeu ju, kështu bëni edhe ju.

14 Edhe përmbi gjithë këto vishni dashurinë, e cila është bashkëlidhja e përsosmërisë.

15 Edhe paqja e Perëndisë le të mbretërojë në zemrat tuaja, në të cilën edhe u thirrët në një trup dhe bëhuni mirënjohës.

16 Fjala e Krishtit le të rrijë tek ju pasurisht me çdo lloj diturie; mësoni e këshilloni njëri-tjetrin me psalme edhe me himne e me këngë shpirtërore, duke i kënduar Zotit me hir në zemrën tuaj.

17 Edhe çdo gjë që të bëni me fjalë ose me punë, të gjitha t’i bëni në emër të Zotit Jisu, duke falënderuar Perëndinë dhe Atin me anë të tij.

18 Ju gratë ulini kryet burrave tuaj, siç i ka hie në Zotin.

19 Ju burrat duajini gratë tuaja dhe mos i hidhëroni ato.

20 Ju bijtë bindjuni prindërve tuaj për të gjitha, sepse kjo është e pëlqyeshme për Zotin.

21 Ju etërit mos i zemëroni bijtë tuaj, që të mos u ligështohet zemra.

22 Ju shërbëtorët, bindjuni në gjithçka zotërinjve tuaj sipas mishit, jo duke u shërbyer vetëm përpara syve, si ata që duan t’u pëlqejnë njerëzve, po me thjeshtësi zemre, duke pasur frikë nga Perëndia.

23 Edhe çdo gjë që bëni, me shpirt bëjeni, si Zotit, e jo njerëzve,

24 duke ditur se prej Zotit keni për të marrë shpërblimin e trashëgimit; sepse Zotit Krisht i shërbeni.

25 Po ai që punon padrejtësi, do të marrë shpërblimin e padrejtësisë së tij, sepse s’ka mbajtje ane.

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Tërmet 5.5 Rihter Midis Kretës & Kasos - Paralajmërim për Cunami

Next Story

Ukraina: "Do të Hyjmë në Krime Deri në Dhjetor!"

Latest from Info