Të gjithë në Europë “me gishtin në këmbëz”!
Imazhi i përgatitjeve të luftës në të gjitha frontet e mundshme në Europë: Forcat ushtarake britanike janë dislokuar përballë Ushtrisë Serbe në Kosovë, që nga 31 korriku 2022, kur qeveria e Kosovës vendosi reciprocitetin në dokumentet e udhëtimit dhe targat serbe të veturave.
Është hera e parë që nga viti 1999 pas bombardimeve të NATOs, që forcat ushtarake britanike janë rreshtuar kundër forcave serbe në anën tjetër të “kufirit” të Serbisë.
Serbët vendosën postblloqe dhe u larguan vetëm kur ndërhynë paqeruajtësit e NATOs dhe qeveria e Kosovës pranoi të shtyjë afatin për zbatimin e vendimit të targave deri më 31 tetor.
Forca paqeruajtëse e NATOs në Kosovë (KFOR) ka njoftuar se më 27 shtator do të mbahen stërvitjet ushtarake të quajtura “Shpata e Artë” në zonën stërvitore të kampit “Novo Sele”, pranë Mitrovicës.
Sipas zëvendëskomandantit të KFORit, Luka Piperni, paqeruajtësit nuk mund të përjashtojnë mundësinë e tensioneve në veri të Kosovës, kur të skadojë afati për regjistrimin e veturave me targa serbe, më 31 tetor 2022. KFORi raportoi se misioni i BEsë EULEX do të përfshihet gjithashtu në stërvitje.
“Stërvitja do të vendoset në kuadër të operacionit të reagimit emergjent, ku personeli i KFORit do të vazhdojë të veprojë në koordinim të ngushtë me policinë e Kosovës dhe misionin EULEX.”
Stërvitja e KFORit është pjesë e planeve të lëshuara në fillim të këtij muaji nga trupat e KFORit, të cilat njoftuan se nga 27 shtatori deri më 2 nëntor “do të kryejnë një stërvitje rutinë me një nga njësitë e saj rezervë” me një rritje të ndjeshme të numrit të trupave të NATOs në terren.
Presidenti i Serbisë, N. Vuçic (i cili dje mbajti një fjalim të bujshëm në OKB) para disa ditësh tha se “një luftë e madhe botërore po vjen dhe pyetja ‘ku janë kufijtë’, nuk do të mund të bëhet pas një muaj apo dy, ose më vonë”.