Mos Shikoni më Televizor! Dëgjojeni Atë!

Gazetarja: Si po zhvillohet fushata? Ku po e përqëndroni atë?

Kandidatja: “Fushata deri në këto momente, sepse jemi në hapat e para të garës, mund ta them me bindje që është shumë e mirë, është shumë pozitive. Lista e kandidatëve për deputetë në Qarkun e Korçës është pritur jashtëzakonisht mirë nga struktura, nga qytetarët dhe jo vetëm në rrethin e Korçës por pothuajse në të gjithë Qarkun.

Unë jam përpjekut të lëviz gjatë javës së parë, pothuajse në të gjithë rrethet e këtij Qarku, duke takuar simpatizantë të Partisë Demokratike, duke takuar qytetarë, por mbi të gjitha u kam dhënë dorën njerëzve të pakënaqur, njerëzve të cilët nuk kanë dashur të votojnë, ose nuk kanë votuar kryesisht në dy mandatet e mëparëshme.

Kështu që po ndjejmë një energji shumë pozitive, shumë herë më ndryshe seç ka qënë në fushatat e mëparëshme. Për fat…”

Kandidatja na thotë me “bindje” që fushata është shumë e mirë, çuditërisht na qënka edhe pozitive, megjithëse në Korçë vetëm aromë fushate nuk ka, kryesisht nga PD.

Më pas kandidatja na thotë se Lista na qënka pritur “jashtëzakonisht” mirë nga strukturat e partisë (që PD-ja në Korçë vetëm struktura nuk ka), por edhe nga qytetarët. Si mund të pritej mirë kjo listë, nga strukturat të paktën, kur Kryetari i Partisë është pozicionuar i shtati në listën e kandidatëve? Absurd! I votuari prej të gjithëve pra, nuk qenka i denjë të kryesojë listën e kandidatëve. Kurse nga qytetarët e Korçës dhe të të gjitha Bashkive, Lista e Kandidatëve të PD-së konsiderohet si më e keqhartuara ndonjëherë prej vitit 1991 (nëse kandidates i nevojitet e vërteta).

Kandidatja, që ka bërë fushatë për Partinë Socialiste në rininë e saj, qënka në gjendje të analizojë dhe t’i rezultojë se kjo fushatë “është shumë herë më ndryshe seç ka qënë në fushatat e mëparëshme”. Kramer kundër Kramer! Na doli kandidatja dhe disa të tjerë që po ja ndryshokan faqen, hirin dhe nurin strukturës politike. Kandidatja sfidon me mijëra, me dhjetra mijëra individë me kontribute në PD dhe qesëndis të shkuarën duke na thënë sesa ndryshe qënkan KËTA dhe kjo fushatë.

Padyshim, janë shumë ndryshe, nuk kanë lidhje me të djathtën kurrësesi dhe me politikën në veçanti.

Nuk po merrem tani me sintaksën, morfologjinë dhe shqipen e kandidates, që si pjesë e auditorëve universitarë, teksa fliste duhet të vështirësoheshim ta kuptonim, për nga ngarkesa frazeologjike. Por ja që vështirësohemi në fakt ta kuptojmë, për nga gabimet dhe gafat gjuhësore, mes fjalish që dhunojnë shqipen (sigurisht këtu më mirë të flasin specialistët e fushës dhe jo vetëm ne, mirëpërdoruesit dhe drejtfolësit e shqipes).

PYETJA E GAZETARES NUK KA MARRË PËRGJIGJE!

Gazetarja: Ju kandidoni për herë të parë zonja Koti, apo jo?

Kandidatja: “Në fakt jam Kandidate për herë të parë në listën e parë, e renditur e dyta në Qarkun e Korçës, pasi…”

Kandidatja është kandidate për herë të parë, në listën e parë. E kuptuat? Domethënë na paska edhe listë të dytë dhe me listë të dytë kandidatja nënkupton ata në listën “banal”, listën e humbësve.

Kush e di se çfarë kryevepra do të kishte shkruar Aristofani nëse do të jetonte në kohën e sorrakëve.

Gazetarja: Pra renditeni e dyta në Qarkun e Korçës, pra që konsiderohet një vend i sigurt? Ju…

Kandidatja: “Unë kam qënë kandidate në 2013-ën, e renditura në numrin 10, kështu që e kam një eksperiencë në fushatat elektorale, por gjithmonë gara është garë, asnjëherë nuk mund të quhet që një mandat është i sigurtë, deri në momentin që do të numërohen votat dhe ne do të jemi të gjithë koshientë për atë ç’ka të gjithë kemi bërë në terren. Mund të themi se është një eksperiencë…”

Kandidimi është përgjegjësi shumë e madhe politike, profesionale, sociale dhe është mision që duhet përmbushur, kurrësesi nuk është eksperiencë, pavarësisht empirikës që mbart nga çdo aktivitet dhe angazhim. Këto kandidatet që i fut #LuBa në listë dhe që e marrin me sportivitet dhe e shohin si EKSPERIENCË kandidimin, janë disfata e kësaj politike diabolësh, pazarxhinjsh dhe guafësh.

Gazetarja: Po të bëjmë një krahasim me… e keni eksperiencën e fushatës, pasi keni qënë edhe në zgjedhjet e kaluara, ndonëse në një vend jo kaq të sigurtë, le të themi. Gjithësesi, renditja në këtë pozicion ju bën të ndiheni më mirë, me moralin e lartë, më optimiste?

Kandidatja: “Në mënyrë absolute po, pasi është vendi ndoshta, numri dy, ose si përfaqësuese e Korçës që jam e para në këtë renditje, që më jep besimin që qytetarët e Korçës këtë radhë do të votojnë ndryshe dhe jam e bindur që ndryshimi do të fillojë që nga qyteti i Korçës dhe më pas do të përhapet në të gjithë Qarkun.

Mund të them me bindje që është një fushatë ndryshe, është një fushatë që nuk e kemi bërë më përpara, pasi…”

Modestia shtypet me këmbë, hidhet tej dhe kandidatja për “eksperiencë” na thotë se, meqë ajo është e dyta, “qytetarët këtë radhë do të votojnë ndryshe”. Ja pra, që nuk na qenka Lista e jashtëzakonshme e Kandidatëve që do të sjellë ndryshimin, por fakti që kandidatja është e dyta.

Jo vetëm kaq, ndryshimi nuk do të vijë i menjëherëshëm. Jo! Ndryshimi do të vijë gradual, fillimisht nga qyteti i Korçës, më pas do të shtrihet në të gjithë Qarkun, na thotë kandidatja. Pas 26 Prillit, prisni ndonjë ndryshim në Kolonjë, Maliq, Devoll, Pogradec dhe në Prespë.

Pri dhe lësho, fjalë pa doganë!

Gazetarja: Ndryshe në ç’kuptim? Çfarë e bën të veçantë, veç pjesës së pandemisë që duhet të jemi më të kujdesshëm me grumbullimet e njerëzve…

Kandidatja: “Mund të them që është një fushatë derë më derë, ndryshe nga herët e tjera, kemi qënë në kontakt shumë të afërt me njerëzit. Ndoshta ato mitingjet dhe takimet e mëdha mund të të japin atë adrenalinën që për momentin na mungon, por na ka bërë më të afërt me njerëzit, na ka bërë më të afërt me qytetarët pasi ne jemi në çdo moment nëpër rrugët e qytetit, jemi nëpër zonat rurale, takojmë njerëz nëpër familjet e tyre, takojmë nëpër ambjente, lokale, bare, por gjithmonë në kontakt shumë të ngushtë. Dhe ajo ç’ka është pozitive është që ne mbledhim problematikat nga terreni nëpër këto grupet e ngushta. Sepse kur ke mitingje të mëdha, ti asnjëherë nuk je afër këtyre problematikave që njerëzit i përjetojnë përditë.”

Kur në vitin 2009, në fushatën derë më derë që ka bërë PD-ja dhe që ka nxjerrë rezultatin e saj më të mirë ndër kohë, kandidaten e thirrën disa anëtarë të PD-së që të bëhej pjesë e Forumit Rinor, por ajo plot qesëndi refuzoi, teksa nuk i pëlqente aspak partia e Saliut.

Gazetarja i kujton pandeminë, kandidatja i flet për “kontakt shumë të ngushtë”. Është koha për të qeshur vallë?

Pjesa tjetër e përgjigjes së kandidates është një përçartje, për të na vërtetuar që politikane as nuk është dhe as nuk ka për t’u bërë ndonjëherë, por sërish i kthehem katedrës ku “ligjëron” dhe më mbulon keqardhja për Arsimin në Shqipëri.

Gazetarja: Cilat janë këto problematika zonja Koti, për të qënë pak më konkretë? Kur ju takoni qytetarët, si e shohin ata një kandidat për deputet, sepse është edhe perceptimi që kandidatët shkojnë nëpër zona të ndryshem të vendit dhe në ato më të thella, në kohë fushate elektorale. Pra, cila është përshtypja, çfarë ndjesie ju lënë qytetarët kur ju i takoni ata?

Kandidatja: “Ndryshe nga vitet e tjera, ne kemi 8 vite, Bona, që jemi në terren. Kemi 8 vite opozitë që nuk i kemi lënë qytetarët si në (e) urbane, ashtu edhe në zonën rurale, pa kontaktuar. Domethënë ne kemi qënë gjithë kohës pranë tyre, pranë halleve të tyre dhe të ta them me bindje, pasi kam qënë pjesë e opozitës që ditën e parë e deri më sot që ne jemi gati duke finalizuar proçesin tonë të fushatës.

Kandidatët për deputetë gjithmonë janë perceptuar si njerëz, që ju shkojnë vetëm në kohën e fushatës, por në rastin konkret, unë personalisht ju shkoj jo si një kandidate, por ju shkoj si një qytetare, e cila ka qënë me ta, pothuajse gjatë gjithë kohës. Unë jam banore e qytetit të Korçës, kam hasur hallet e tyre pothuajse gjatë gjithë kohës dhe është ndryshe kur je pjesë e një qyteti, i cili të jep atë identitetin e vet dhe kjo është ndryshimi midis një kandidati i cili është jashtë qytetit dhe një kandidati që jeton dhe punon përditë me banorët e tij. Dhe kjo është ajo diferenca që më ka bërë të jem më optimiste, më ka bërë të shoh atë shpresë që qytetarët duan të shohin, sepse problematikat më të mëdha që ne kemi hasur, qoftë në Korçë, qoftë në të gjithë Qarkun është papunësia, është emigrimi, është varfëria ku jo gjithmonë mund të mbulohet me atë fasadën e bukur që ka qendra e qytetit të Korçës, që është shumë ndryshe në zonat rurale, apo në periferitë e qytetit, apo në rrethet e tjera, qoftë në Pogradec, në Devoll dhe në Ersekë. Është një ndryshim jashtëzakonisht i madh kur e shikon me sytë e tu çfarë ndodh në të vërtetë. Dhe të gjitha këto problematika që ne kemi hasur këto kohë, themi që jemi duke u premtuar qytetarëve ndryshimin. Sepse në momentin që unë kam vendosur të punoj dhe jetoj në qytetin tim, absolutisht këtë gjë jua transmetoj edhe qytetarëve, sepse ata duhet të mendojnë në radhë të parë për veten e tyre, për familjen, për fëmijët. Është ajo sfidë që ne po na bën që çdo ditë dhe më shumë të takojmë sa më shumë njerëz, sa më shumë qytetarë dhe t’i japim mesazhin që të votojnë për veten e tyre në radhë të parë, të votojmë një model ndryshe të qeverisjes dhe të votojnë për një transparencë të parave të tyre sesi do të përdoren nesër në të ardhmen dhe për një qeveri që mbi të gjitha do të ketë dinjitetin dhe integritetin.

Sa më sipër ua lë për gjykim mësuesve të gjuhë-letërsisë dhe të gjithëve atyre të angazhuarve politikisht, pavarësisht kahut politik.

“Vetëm dy gjëra janë të pakufij: gjithësia dhe idiotësia e njeriut, por sërish për gjithësinë kam disa rezerva, por kurrsesi për idiotësinë.” (A. Einstein)

“Disa herë pyes veten nëse botën e qeverisin disa të zgjuar që tallen me ne, apo disa idiotë që na flasin seriozisht.” (Mark Twain)

“Krahasuar me hajdutët, idiotët janë më keqbërës, sepse të vjedhin kohën dhe të shkatërrojnë moralisht.” (Gete)

Dhe po zgjedh ta mbyll këtë shkrim me fjalët e Will Durant: “Sistemi politik triumfon sepse është një minorancë e unifikuar që vepron kundër një mazhorance të përçarë (popullit).”

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

"Udhëheqja Globale" që Ëndërrojnë Drejtuesit e Shteteve & "Great Reset": Plani për 'Lockdown' Deri në Vaksinimin e të Gjithë Popullsisë.

Next Story

Ligj i Ri për Nënshtetësinë Greke - Kushti i Parë: Njohja e Gjuhës!

Latest from Ne Dukje