Quo Vadis Europa? (nga Helene Glykatzi Ahrweiler)

Quo Vadis Europa?

Europa do të shkojë atje ku do e çojmë ne, nuk mund të shkojë e vetme gjetiu.

Për herë të parë për europianë foli Francis Bacon: “We Europeans” – tha ai, në vitin 1623, duke patur parasysh jetesën e një civilizimi të përbashkët, që bashkonte në atë kohë të gjithë europianët, ata të cilët nuk ishin nënshtruar nga Otomanët, ndaj dhe një hartë e kohës i barazonte grekët me turqit. Ndërsa poeti francez Baudelair shpjegon në disa vargje të tij, pse neverit të gjithë banorët e Europës, pa përjashtim, banorët e qendrave më të njohura shpirtërore të asaj epoke, duke përmendur karateristikat e gjithësecilit, karakteristika që bëheshin dhe shkaku i kësaj neverie.

“We Europeans” me të gjitha defektet tona. Por ne, siç na kërkohet nga çdo imperativë humane, jemi të dënuar të jemi europianë, por njëkohësisht të mund të kemi edhe origjinën tonë etnike. Dhe këtë atdheun e dytë të çdokujt nga ne, Europën dua të them, do e çojmë diku, gjithkund, ndoshta edhe askund.

Të gjithë flasim për problemet, unë nuk do të flas për të njëjtat gjëra, strukturat i dini, janë politike dhe ua lë juve në gjykimin tuaj. Por përgjegjësia jonë për të ardhmen, përsa i përket devijimeve tona, janë të tjerët, të cilëve do u lëmë dhimbje, vuajtja dhe nënkuptoj gjeneratave që vijnë.

Pyetja se “ku po shkon Europa”, kërkon nëse jo aftësi profetike, aftësi futuriste.

Në çfarë botë do të jetojnë europianët e së nesërmes? Do të jetë Europa një komunitet i vogël, tradicional dhe lokalist përballë ikumenit/botës globaliste teknologjike? Apo do të jetë urbanizimi i megaqyteteve të miliona banorëve, që do të formojë mjedisin e së përditshme së europianëve të së nesërmes, që do të njohin territorin jashtë tyre vetëm si vendi ku kalojnë pushimet?

I përkas brezit që kur shikonim aeroplan, ndalonim për ta parë aeroplanin. Pas pak kohë, fëmijët kur të shikojnë zogj, do të ndalojnë për të parë zogjtë.

Nga ana tjetër, për cilët të rinj europianë flasim, kur këta të rinj janë ‘non-stop’ përpara një ekrani dhe një teknologjie që i ka përpirë, krahasuar me të tjerë e mëpërparshëm që jetuan me formatin analog, pa e-mails apo telefona celularë? U menduat ndonjëherë sesi hapat e progresit teknologjik, bënë që çdo gjë të lindet para kohe dhe sesi dhe sa shpejt mund të merret dhe të konsumohet një informacion, që në fund rezulton edhe i papërdorshëm, edhe i pavlefshëm, teksa kemi shkatërruar dhe djegur çdo mjet të së shkuarës që ofronte dije dhe njohuri?

Le të flasim tani për të nesërmen e Europës, pavarësisht organizimit social dhe politik të europianëve. Do të ishte më frutdhënëse sikur të flisnim për përpjekje të përbashkëta që lidhen me kohezionin e së ardhmes, për themelet dhe strukturat e saj, sesa për karakteristikat dhe idiosigrasitë e banorëve të kontinentit të vjetër, që më së pakti duhet të menaxhojnë një të shkuar të gjatë shumëshekullore dhe që duhet të pozicionohen përballë kësaj të shkuare denjësisht, duke u përballur njëkohësisht me sfidat e një të tashmeje shumë të shkurtër, tejet virtuale, mes një të tashmeje që shkërmoqet mes regjistrit të së shkuarës dhe aktualitetit të ngutur të së ardhmes.

Ky ndryshim në ndjesinë e kontekstit kohë, sepse ka ndryshuar koncepti kohë, i kërkon edhe hapësirës Europë të bëjë disa qartësime historike dhe prologjike. Për kë Europë flasim? Për Europën kontinent të Degolit, domethënë nga ishujt anglezë deri në vargmalet Urale? Apo për organizimin institucional të Bashkimit Europian, që nuk përfill mes të tjerësh Zvicrën, Rusinë, Ballkanin Perëndimor dhe që sot harroi edhe Britaninë e madhe pas Brex-it? Apo mos ndoshta flasim për Europën kulturore, që përtej kësaj të sotmes, mbart pasuri të thella shpirtërore, linguistike, fetare me efekte në Amerikë, Kanada, Australi, Zelandë e Re dhe deri në Afrikën e Jugut?

Këtë e them sepse duhet të kujtojmë determinimin e termit ‘europian’, që ndoshta më i sakti është ai i bërë nga Paul Velery, në vitin 1919: “Europian është ai që njohu mendimin e antikitetit helen, shtrirjen e legjislativit romak dhe që jeton me frymën judeo-kristiane. Atje ku emrat e Platonit, Aristotelit, Ciceronit, Virgjilit, të Moisiut, të Apostull Palit kanë peshë, atje është Europë”.

Mos duhet të pranojmë si Europë dhe europiane të gjitha vendet që gjenden në Këshillin e Europës, ku marrin pjesë akoma edhe Turqia dhe Izraeli, pavarësisht fesë së tyre të ndryshme dhe shtrirjes territoriale? Vetëm që përmendim këto formate, deri diku edhe amorfe, bindemi për vështirësitë me të cilat do të hasemi, lidhur me këtë çështje që kemi ndërmarrë të flasim dhe analizojmë. Është tjetër Europa gjeografike, është tjetër Europa politike, tjetër ajo institucionale, tjetër ajo kulturore dhe tjetër është Europa që ndjejnë dhe jetojnë të rinjtë e saj sot.

Një fakt është i padiskutueshlm dhe që nuk mund të vihet në dyshim, për çfarëdo Europë që të flasim, sot Europa nuk ka më monopolin e historisë botërore. Dhe nëse do të kufizohemi vetëm tek Bashkimi Europian, tek shtetet e BE-së, duhet të pranojmë që nuk mund të na bindin se influencojnë zhvillimet globale, as nuk shquhen më për iniciativa që do të lënë gjurmë historike, nuk kanë as planetarkë për të prezantuar, në fakt nuk synojnë asgjë nga këto europianët e sotëm, nga ky fshat platonik i globalizmit modern, që kur hap një dritare në Pekin, ftohen në New York, në Berlin, në Paris dhe në Londër.

Çfarë duhet të bëjë kjo Europë historikisht e deboluar, që të qëndrojë në këmbët e saj, që të mbijetojë dhe cili është roli dhe pozicioni i saj në botën moderne, të të rinjve europianë të së nesërmes?

T’ju kujtoj se armatura ideologjike e të rinjve europianë, sipas një studimi të kohëve të fundit, i ka bazat tek puna vullnetare në shërbim të grupeve vurnerabël të botës së tretë dhe të katërt. Siç edhe e dini, bota e katër janë të varfërit e vendeve krejt të pazhvilluara. Jo thjesht humanitarë, por të rinjtë janë edhe bashkëpunëtorë dhe qëndrestarë, punojnë me “Mjekët e Botës”, janë vullnetarë me “Mjekët pa Kufij”, e të tjera si këro, por kurrë nuk pyesin se nga vijnë këta të cilët ua kanë nevojën, as se çfarë mendojnë, as se çfarë përfaqësojnë. Kjo, për të nënvizuar diçka që duket qartë nga studimi në fjalë, se të rinjtë e sotëm europianë, përveç fanatikëve, gjenden larg ideologjive dhe mendimit politik dhe filozofik, si dhe larg totalitarizmit të brezit të mëparshëm. Slloganet “paqe dhe jo luftë”, “fantazia në pushtet”, sllogane këto të rinisë të majit të vitit 1968, dëshmuan fillimin e një morali të ri, por që po shuhet në epokën e teknologjive të reja, teknologji që eliminoi gjithashtu hierarkinë, kufijtë dhe jetën private.

Bërja publike e gjithçkaje është sot ekstremi i socializimit në fshatin globalist, që e quajmë Europë. Asgjë nuk fshihet nën dritën e diellit, rol të cilin tani e ka marrë Media. Por të gjithë ne kemi një pikë të përbashkët referimi, civilizimin që themeloi Europën, atë Europë që nuk priste Bashkimin Europian që të ekzistojë, që do të jetojë, siç jetoi edhe deri më tani.

Europa është vendi i njerëzve të matur dhe të logjikshëm, që atëherë kur fatet e Europës ishin të identifikuara me edukimin helen, që siç lë të kuptohet edhe Irodoti: “Helenizmi motivonte të gjithë Europën, përballë kundërshtarëve popullatave aziatike”.

Të kujtoj tani fjalët e Viktor Hugo: “Greqia dhe Roma janë nëna dhe mamia e kontinentit Europian”. Në Europën e kulturës, që dikush e shijon shumë dhe dikush edhe më shumë, të gjithë popujt dhe banorët përdorin terma dhe nocione të përbashkëta si: muzikë, matematikë, filozofi, teatër, bibël, si dhe të gjithë termat që lidhen me dashurinë, erosin janë të përbashkëta dhe burojnë nga e njëjta origjinë, në të gjitha gjuhët e europës këto janë fjalë të përbashkëta, dhe për këtë fakt duhet të jemi koshientë. Ky model kulturor që quhet Europë, diferencohet nga modeli ekonomik dhe teknologjik që sot po pushton kontinentin tonë. Por kjo nuk do të thotë se civilizimi europian, ashtu siç e perceptojnë njerëzit e mëdhenj, nuk po luan më asnjë rol në brumosjen e karakterit të rinisë në këtë kontinent, pavarësisht zbehjes së inluencë së tij.

Civilizimi europian, këtu fus edhe fëmijën e Europës, Amerikën, është trashëgimtar i dritës së antikitetit, pavarësisht se energjinë elektrike e zbuluan në ditët e sotme. Por vlen të theksohet se në këtë progres, jo të gjithë popujt kanë të njëjtin vend, si dhe nuk kanë luajtur të gjithë të njëjtin rol në themelimin e parimeve të civilizimit europian.

Historia e gjatë shumëshekullore e Europës është e mbushur me beteja dhe përplasje, që shpjegon sesa e madhe është dëshira e njërit për t’u shtrirë në territoret e tjetrit dhe kjo, aneksimi pra, ka qenë njësi matëse që në fillesat e ekzistencës europiane. Duhet nënvizuar ky fakt, për hapat më tej.

Në mënyrë karakteristike do ju nënvizoj se sindromi i Kainit, domethënë lufta brenda fisit, pavarësisht origjinës së përbashkët dhe bashkëveprimit në histori, besim dhe civilizim, ndoshta edhe në kombësi, nuk u ndal së gjakosuri vazhdimisht kontinentin e vjetër. Kjo eksperiencë traumatike, udhëhoqi atin e Bashkimit të sotëm Europian të krijojë Unionin e parë në historinë botërore, përbërë prej popujsh me origjina të ndryshme etnike, orientuar nga një interes i përbashkët ekonomik, pa e veshur këtë arritje me nuanca dhe atribute ushtarake, politike, apo me ambicje për të krijuar një Perandori.

Tua them ndryshe, Mone thoshte: “për herë të parë shikoj të krijohet një skimë polietnike që nuk është autokratike, por një skimë pjesëmarrjeje të lirë të shteteve përbërëse”. Edhe pse sot brenda kësaj Europe disa popuj janë më të barabartë se popujt e tjerë që konsiderohen të barabartë, por që në realitet nuk janë. Mone do të thoshte gjithashtu pas shumë kohësh: “nëse do të duhet të filloja sërish Unionin do të filloja nga kultura”, por ja që nuk ndodhi kështu, filloi nga ekonomia dhe thënia e tij mbetet okulte, pasi si teknokrat që ishte e dinte shumë mirë që popujt i sjell pranë interesi ekonomik, teksa fatkeqësisht historia tregon se civilizimi i përbashkët mes kulturash të ndryshme ka pjellë vetëm përplasje.

Por në këto vite të ekzistencë së tij Bashkimi Europian ja arriti bashkëjetesës paqësore mes popujve anëtarë, tani është koha t’ja arrijë bashkëjetesës dhe sinergjisë për kohezion social dhe zhvillim ekonomik, që ta bëjnë sërish Europën shembull kudo në botë. Është koha që pjesa e shëndetshme e të rinjve të hedhin mënjanë barbarizmin e brendshëm, të luftojnë dhunën, të asgjësojnë parajsat artificiale dhe të demobilizojnë paranë.

Studimi që ju përmenda tregon se beteja për barazi, pavarësisht racës, gjinisë, gjuhës dhe fesë është qëllim i të rinjve europianë sot dhe është themel virtyti, por nuk mund të mbetemi vetëm me kaq.

Cili profesion do të ketë rolin primar për të administruar botën e së ardhmes? Pas ushtrimit të pushtetit, për shekuj, nga politikanë dhe ushtarakë, si dhe autoritetit absolut të financierëve që karakterizon pushtetin akoma edhe në ditët tona, duket se po shfaqet një grup i ri që duhet të marrin pushtetin, këta janë ndërmjetësit dhe flas për ndërmjetësit e çdo lloji dhe sfere.

Mendoj se kompleksiteti i botës së sotme moderne, ku edhe shkencëtarët më të shquar, nobelistët e shkencave ekzakte, kanë njohuri të pakta edhe për vetë shkencën që përfaqësojnë, e jo më për fusha të tjera, e bën botën jo vetëm komplekse, por edhe të errët. Për shkak të këtij kompleksitet të sotëm dhe për ta shmangur atë, kemi për detyrë të njohim çdo grimcë të së përditshmes, ta ndriçojmë atë, duke i dhënë shpjegim dhe zgjidhje detajeve.

***

Të japësh dije, është i vetmi shpenzim që të bën më të pasur. Këtë duhet të bëjmë në Europë, të japim dijen. E njëjta gjë është në fuqi edhe kur japim kulturë, civilizim.

***

Megjithatë theksoj se euroskeptizmi do të vijë në rritje. Pse? Sepse gabimet e qëllimta dhe burokracia e lodhshme, fondet e pamata dhe keqmenaxhimi i tyre, do të detyrojnë vendet anëtare të flasin në emër të kombit fillimisht dhe më pas në emër të Europës.

Problematik është identiteti i dyfishtë, bashkëjetesa pra e identitetit etnik me identitetin europian. Identiteti i parë është atëror, tradicional, i natyrshëm dhe identiteti i dytë është thjesht institucional, me fokus interesin e përbashkët ekonomik.

A rrezikojmë që identiteti europian të bëhet hegjemon përballë identitetit etnik? Të shumtë janë ata që i frigohen kësaj.

Dua të them gjithashtu se mungesa e kufijve rrezikon të na çojë edhe drejt një “apatriotizmi” (harresë e atdheut), mes pabarazisë ekonomike të vendeve prezente në kontinent.

A janë të pavarura sot vendet e Unionit? Një tjetër pyetje pa përgjigje të saktë dhe me shumë dyshime dhe teza që provojnë deri diku shenja të mungesës së sovranitetit të plotë të vendeve.

Europa e Unionit është një ide e re, një realitet i ri.

Që Europa të arrijë qëllimin e saj, shtetet duhet të bëjnë prioritet të prioriteteve të tyre, ARSIMIN.

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Ditari i Vajzës së Joe Biden: "Bëja Banja të Pahijshme me Babanë kur Isha Fëmijë" - Pa Gojë SHBA

Next Story

"Elektroshok" me Çmimet e Energjisë Elektrike në Europë

Latest from Ne Dukje