LSI Korçë: 21 janari dhe Lëvizja që Bllokun nga Dora s’e Heq, ç’më Ngacmuan Sot, Kujtesën për Dreq!

Ditë e zezë kjo, ditë kobë, një protestë, katër të vrarë dhe një parti me bllok në dorë. Si për dreq, për mirëmëngjes të kësaj dite, më del përpara një status i LSI Dega Korçë, një nga ato statuset radhikó, të shpëlara, nga ato statuset vallaha për opozitë, por me synim dhe të qëllimshëm për të shënjestruar dikë, sepse edhe për statuset, LSI është me bllok në dorë, dikush paguan, dikush urdhëron dhe një bufon shkruan.

Fraksioni i pozitës së sotme dhe të atëherëshme, më pas opozitë e të gjithëve, pas lufte u bë nuse e malësorit të cilin e kishte bërë pozitë dhe po e mbante sërish. Me fishekun “e pajës” politike, e vrau më pas dhe iu kthye në shtëpi mëmës opozitë, për ta bërë atë dhe veten sërish pozitë, për ta vjelë, mjelë dhe ndukë. Por një ditë u gjend sërish e hedhur në rrugë, në opozitë, i themi rëndom.

Në Korçë më thanë, në krye të partisë paskan vënë kalamanë, e paskan hequr të Ilir floririt vëllanë, si për të ndryshuar havanë, apo sepse interesat i ndanë.

Rima sa më sipër, për satirë dhe që të kthehem serioze në Korçën minus 21 gradë, po i hedh pak ujë të përvëluar opozitës që bën LSI e blloçkës, në qytetin e të mençurve të heshtur.

Kryetari i LSI-së Korçë, u thotë mes të tjerash qytetarëve mes një statusi: “…Rilindja në Korçë ka emëruar drejtorë të paaftë, të papërgjegjshëm të cilët nuk kanë lidhje me shërbimin qytetar.” Por kur Rilindja vinte në pushtet mes marrëveshjes me LSI, djaloshi kryetar kujtesëhumbur shkonte në Jalë, me FRESHin palë. Sa për kujtesë këtë, sepse është në Korçë, atje ku të dinë dhe të mbajnë mend me 7 breza, aq sa edhe të duhen për t’u bërë qytetar.

Në Korçë mund të ketë padyshim edhe drejtues të paaftë, por janë ata të njëjtët me të cilët 4 vite, LSI hante dhe pinte, vidhte dhe ndukte pronën shtetërore dhe private, kur LSI bënte tendera dhe ndante vende pune, kur bënte të 99-tat mbi dhe nën rrogoz. Në atë kohë LSI nuk e hapi qipin të fliste për paaftësi. Do të të ndalem edhe këtu, që ta përcëlloj, “cazë” më vonë, që kur të dalë rrugëve të Facebook-ut sërish, të mendohet Lëvizja, para se të shkruajë. LSI, Lëvizje opozitë e pozitave që ka mjelë e vjelë, vjell kur nuk ka kë të mjelë.

Pyes shokun kryetar të LSI: “Si duhet të ketë lidhje një drejtor me shërbimin qytetar?” Le që këto janë nga ato fjalitë sharlatane dhe të pakuptimta, që i lëshojnë si “lopa bajgën”, për të na treguar “nivelin” përtokë të shqipes së tyre, në tekst dhe kontekst.

Kryetari i LSI më pas e ngreh termometrin e statusit dhe i ndërsen njerëzit duke shkruar: “Rilindja në Korçë institucionet publike i ka vënë në shërbimin personal të individëve. Ilir Bajlos, është shëmbulli më tipik i një drejtuesi të papërgjegjshëm që pozicionin e tij publik e ka në funksion të interesave personale.”

LSI me bllok apo blloçkë në dorë, partia e Ilir floririt, ka 3 dekada që ka vënë në dispozicion të saj shtetin dhe pushtetin në të gjitha nivelet dhe që nën sqetullën e Rilindjes dhe PD-së është rritur dhe i ka gangrenizuar ato. Dhe si për të treguar se padija, paaftësia, tendenca dhe keqdashja, janë karakteristika të kësaj Lëvizjeje politike, kryetari “qumështor” politik, i përdorur dhe i përdorshëm, gjen dhe godet PS-në, atje ku plumbi i bën rikoshetë.

Ilir Bajlos, për dijeni të LSI sh.a. Korçë, është një ndër djemtë e Korçës, fizikant, i para viteve 90, atëherë kur duhet të ishe një gjimnazist i shkëlqyer në 4 vite, që të jepej e drejta e studimit. Një korçar me studime pasuniversitare në gjeofizikë / sizmiologji, i diplomuar gjithashtu edhe në shkencat ekonomike. Sa më sipër nuk kanë lidhje me partinë e bllokut, me partinë e Balilit dhe të vulgut, që as nuk u duhet dija, nxënia, arsimimi, përveçse partishmëria dhe gadishmëria që në fushatë, me torba në krahë, të shkojnë të ndajnë dhe të mbledhin vota.

Fizikanti dhe LSI janë dy të kithta, padyshim. E si mund të goditet Rilindja me Ilir Bajlosin në Korçë, kur plumbat i kthehen rikoshetë? Nuk gjeti ndonjë tjetër LSI ku plumbi gjen mish, gjakos dhe plagos? Nëse sot ka një drejtori që funksionon dhe ku qytetati merr shërbime, thuajse europiane në Korçë, është pikërisht Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore. Në ç’kallo t’a ketë shkelur vallë drejtori LSI-në?

Korçë është, shpejt a vonë do të merret vesh.

21 janar 2021, 10 vite plot, blloku, protesta, krismat, viktimat, opozita dhe pozita. Sot partia e korrupsionit, që instaloi në sistem blerjen e votës, që përdori dhe u përdor me vullnet, që solli në pushtet Rilindjen, korporata politike, deri dhe kriminale, u bën moral shqiptarëve dhe sidomos korçarëve. Edhe kush? Fuçia politike e paaftësisë, e papërgjegjshmërisë dhe e grykësisë. Lëvizja politike e teorisë, rrjepim pushtetin, blejmë vota.

“Me 25 Prill – thotë kryetari i LSI Dega Korçë – çlirojmë Korçën dhe do të kthejmë çdo instuticion publik në funksion të qytetarëve.”

Po qe se çlirohet Korça duke hequr fizikantin dhe duke sjellë tuafin grykës të LSI-së, më mirë t’i dalë shpirti që sot Korçës dhe vatanit mbarë! Por t’i kujtojmë LSI-së që dikur përkrah fizikantit dhe gjithë Rilindjes jetonte e lumtur bashkëjetesën politike dhe fizikantit dhe Rilindjes i “këndonte” lavde, ndanin institucione dhe pushtete, influenca dhe potenca.

Nëse të gjitha këto LSI-ja i fshin paciptësisht nga kujtesa, ti popull mos harro!

21 janar 2021. 10 vite të shkuar, një protestë anti-Metë, 4 jetë të fikura, 4 kandilë të ndezur dhe një korporatë politike mafioze ende e ligjshme!

Rilindjen nuk e largojnë dot ata që e sollën në pushtet dhe që u mëkuan prej saj. Kurrsesi nuk mund ta bëjë këtë një parti që mes pushtetit që konsumoi, e la politikën shqiptare me të Meta.

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Klikoni antifa.com për të Vizituar Faqjen Zyrtare të Shtëpisë së Bardhë!

Next Story

Zv.Presidentja e Amerikës e Dha Stigmën Publikisht - U Betua mbi "Portofol" e Veshur në Mavi!

Latest from Opinione